Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë ka konfirmuar sot në orët e pasdites edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombësi, përderisa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë.
Sipas informacioneve të para të siguruara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 (i dyshuar për veprën penale për terrorizëm), aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës që nga periudha e Luftës.
“Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga shteti fqinj mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i bën thirrje fqinji verior, që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë tranzite.
Ministria e Punëve të Jashtme edhe njëherë thërret Bashkimin Evropian, shtetet e Quintit dhe komunitetin ndërkombëtarë që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të tij.