Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas ndalesës së bërë ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami për të hyrë në Serbi.
MPJ iu ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të ndërpresin veprimet e tilla ndaj shtetasve të Kosovës.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme:
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ri-përsërit se ndalimi për herë të dytë brenda pak ditësh i ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, z. Hivzi Islami, që të hyjë në shtetin fqinj dhe të vizitojë familjarët e tij, si edhe shumë raste të tjera pothuajse të zakonshme si për zyrtarët e lartë ashtu edhe për qytetarët e zakonshëm janë në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen e Brukselit, zotimin deklarativ të shtetit fqinj Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe një shkelje e sistematike e njërës prej të drejtave fundamentale të Bashkimit Evropian.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës thërret autoritetet e shtetit fqinj që të ndërpresin menjëherë veprimet dhe sjelljet e tilla ndaj shtetasëve të Republikës së Kosovës dhe paralelisht me këtë edhe përfaqësuesit e BE-së që të dalin në mbrojtje të njërit prej parimeve themelore, në bazë të së cilit është themeluar edhe vet BE-ja.
Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë me vëmendje të posaçme rastet e ngjashme në të ardhmen, rishqyrtojë qasjen pozitive ndaj kërkesave për vizita nga autoritetet e Serbisë në Kosovë dhe do të veprojë në bazë të parimit të reciprocitetit, nëse raste si ky përsëriten në vazhdimësi dhe janë qëllimliga.