MPMS dhe UP me marrëveshje që u mundëson 200 studentëve praktikë në institucione publike e private

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 11:43 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për përfshirjen e 200 studentëve të UP-së në trajnim në punë, në institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe private, si dhe OJQ-të.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se sfidë kryesore e universitetit është mungesa e buxhetit.

“Sfida kryesore është mungesa e buxhetit, kemi numër shumë të vogël të stafit akademik dhe mungesë të hapësirave. Shumë programe të cilat rrezikojnë të mbyllen që vërtet planin strategjik ta realizojmë ashtu siç duhet”.

Rreth Marrëveshjes së Bashkëpunimit, rektori Dema tha se kjo është mundësi e shkëlqyer që studentët të përgatiten për tregun e punës, raporton Ekonomia Online.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, u tregua optimist sa i përket punësimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës.

“Unë kam besim të plotë që edhe burrat edhe gratë e këtij universiteti kanë me gjetë rrugë që me mujt me avancu. Detyra jonë është me ju mbështet sa më mirë, natyrisht ne i presim edhe rezultatet. E di që keni sfida dhe vështirësi dhe nuk është lehtë, por keni shpresë të madhe që universiteti që ka qenë dikur çelësi i lirisë të kthehet në një flamurtar të shtetndërtimit tonë”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se kjo marrëveshje është lajm i mirë për të gjithë studentët e universitetit.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje ku do të ftojmë së paku 200 studentë, ku mësimet e tyre të kenë mundësi t’i bëjnë në praktikë. Kemi mendu që ta shfrytëzojmë pushimin veror”.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të nënshkruajnë një marrëveshje të ngjashme. Ai tha se kjo marrëveshje gjithashtu do të ketë të bëjë me ofrimin e mundësisë së praktikës për studentët, raporton EO.

Të ngjashme