Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me UNDP-në, kanë lansuar sot projektin “Sistemi Informativ i Tregut të Punës”.
Ky projekt ka për qëllim të sigurojë informacione lidhur me punësimin dhe karrierën për studentët, të papunët, punëkërkuesit, prindërit, si dhe këshilltarët për karrierë duke mbledhur një sërë të dhënash nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (rreth regjistrimit të popullsisë, Anketa e Fuqisë Punëtore), nga MASHT (statistikat e arsimit), MPMS (të papunësuarit e regjistruar, përfituesit e asistencës sociale, vendet e lira të punës etj), nga Administrata Tatimore (shifrat zyrtare të punësimit), MTI (regjistri i bizneseve), në një platformë të përbashkët që do të ofrojë informacione të përditësuara mbi trendin dhe tendencat në tregun e punës në Kosovë.
Ministri i MPMS-së, Skënder Reçica tha se ky sistem do ndihmojë shumë në orientimin e të rinjve në karrierë.
“Ky sistem do na ndihmojë shumë në orientimin e të rinjve tanë në karrierë sepse do kenë mundësinë që në baza ditore të kenë informatat e sakta në lidhje me tregun e punës. Zhvillimi i teknologjisë ka bërë të vetën dhe ne duhet të adaptohemi më këtë sferë. Përveç krijimit të këtij sistemi, jemi duke punuar edhe për digjitalizimin për pensione dhe benificione, si dhe digjitalizimin e inspektoratit të punës. Unë inkurajoj institucionet e vendit të jenë pjesë e këtij projekti sepse ky proces i involvon edhe institucionet të tjera pasi që është sistem gjithëpërfshirës”, ka thënë ministri Reçica, raporton Ekonomia Online.
Alessandra Roccasalvo, Zv. Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, tha se të dhënat që do hyjnë në këtë sistem padyshim do kontrollohen nga administrata publike.
“Fuqia e informatës dhe qasja më e lehtë e mbledhjes së të dhënave është domosdoshme. Në vitin 2017, bota ka prodhuar më shumë të dhëna se sa në tërë vitet e tjera. Jam 100 për qind e sigurt se ky sistem do jetë një mjet i mirë për tregun e punës. Nëse kthehemi në tregun e punës e shohim se shumë gjëra po ndryshojnë. Të rinjtë është mirë të kuptojnë se cilat profesione na nevojiten në Kosovë. Për të ndryshuar një kurrikulë duhet shumë kohë, pra duhet të dimë se çfarë lloj përparime na presin në të ardhmen. Të dhënat që do hyjnë në këtë sistem padyshim do kontrollohen nga administrata publike”, ka thënë Roccasalvo.
Durim Hoxha, menaxher i projektit EYE, tha se ky është projekt i cili punon për punësimin e të rinjve dhe tani lehtëson punësimin përmes këtij sistemi.
“Projektit EYE është projekt i cili punon për punësimin e të rinjve. Kjo është një punë e palodhshme e disenjatorëve të cilët kanë punuar në dizajnimin e këtij sistemi. Kemi zhvilluar edhe modulin për zhvillim dhe informim për zgjedhjen e karrierës. Sfida kryesore e këtij sistemi është informimi për këtë sistem tek akterët”, tha Hoxha, raporton EO.
Zana Tabaku nga “Appdec” e cila njëherit ishte edhe prezantuese e këtij sistemi tha se MASHT-it i mungon një sistem i tillë i informimit prandaj të dhënat për MASHT-in merren nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
“Në sistemin informativ të tregut të punës mbledhim informatat prej MPM-së, kemi informata prej ATK-së dhe prej Agjencionit të regjistrimit të bizneseve. Një problem u cek është pjesa e MASHT-it pasi informatat i marrim prej ASK-së, pasi që ka mungesë të informimit”, tha Tabaku.