Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA), ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ku ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve për punësimin e të rinjve në sektorin e veshmbathjeve.
Kjo marrëveshje do te fokusohet tek aftësimi dhe riaftësimi profesional si dhe mbajtja e trajnimeve përkatëse rreth asaj se si të arrihet prej kërkesës për punësim deri tek punësimi konkret.
Sipas kësaj marrëveshje MPMS është e obliguar që përmes zyrave të punësimit të bëj përpilimin e listës së kandidatëve që janë të regjistruar si të papunë, të ofroj trajnime ne vendin e punës tek kompanitë në sektorin e veshmbathjeve.
Lidhur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje anëtaret e Shoqatës së Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve do të përfitojnë nga projekti i MPMS në financimin e trajnimit në vendin e punës dhe subvencionimit të pagave për një periudhë të caktuar.
Gjatë këtij takimi i pranishëm ishte edhe ministri i MPMS-së Arban Abrashi i cili është shprehur se brenda mundësive të lejuara politikat e MPMS-së do të jenë edhe më tutje në favor të sektorit privat për veshmbathje duke synuar një bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen me Shoqatën e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve (KAMA).
Shoqata KAMA është e përkushtuar për të ndihmuar prodhuesit e veshmbathjeve në mënyrë që të rritet ky sektor.