MSA-ja ul për 10 milionë euro të hyrat doganore

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 18:50 | Nga

Muajt e parë të zbatimit të Marrëveshjës së Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, vlerësohen se kanë përkeqësuar edhe më shumë bilancin tregtarë në vend. Brenda katër muajve të hyrjes së fuqi të MSA-së, importet kanë shënuar rritje.

Të dhënat e fundit nga Tregtia e Jashtme në Kosovë të cilat falsin për muajin qershor tregojnë për një deficit tregtar më të lartë, prej mbi 200 milion euro. Eksporti i mallrave në muajin qershor kishte vlerën 30 milion euro, ndërsa importi rreth 250 milion euro.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës po ashtu bëjnë të ditur se Marrëveshja për Stabilizim Asocimit, ka pasur ndikim edhe në zvogëlimin e të hyrave të tatimit doganor për mbi 10 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci duke folur për Radion Evropa e Lirë ka treguar për efektet e para të cilat i ka pasur MSA.

“Ne kemi qenë të përgatitur dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë problem të vetëm në zbatimin e MSA-së, ndryshe nga shtetet tjera të cilat kanë pasur probleme, siç është ndryshimi i sistemeve të zhdoganimit, apo vjeljes së taksave”.

“MSA ka prodhuar efektet e veta. Deri tani kemi lirime të produkteve që importohen nga BE-ja si rrjedhojë e zbatimit të MSA-së , në vlerën prej mbi 10 milion euro. Ka produkte që janë me taksë zero dhe ka produkte që kanë tatim nëntë për qind”, thekson Stavileci.

Në këtë kuadër edhe importi i veturave të reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, raportohet se ka shënuar rritje të mëdha. Sipas Stavilecit me zbatimin e MSA-së importi i veturave është liruar për 10 për qind, pasi nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar MSA-në më 27 tetor të vitit 2015, derisa ajo ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Kjo marrëveshje parasheh që disa produkte që në fillim të lirohen nga taksa doganore. Në vitin e parë, tatimi doganor për disa produkte ulet nga dhjetë për qind sa ka qenë më parë, në tetë për qind. Vitin e dytë në gjashtë për qind, vitin e tretë në katër për qind dhe vitin e katërt, në dy për qind. Derisa pas vitit të katërt do të jetë zero për qind për të gjitha produktet.

Nga heqja e taksës doganore të produkteve që importohen nga BE-ja, është theksuar se do të pësojnë të hyrat në Doganat e Kosovës. Stavileci ka deklaruar se në vitin e parë të zbatimit të MSA-së, parashihet të ketë një zvogëlim në të hyra të tatimit doganor, deri në 25 milionë euro.

“Ne kemi pasur rënie të taksave, por në anën tjetër kemi pasur rritje të importit nga ana e Bashkimit Evropian. Tek automjetet kemi një rritje të fluksit të importit të automjeteve, pasi që ato kushtojnë më lirë tani. Nëse shihet viti 2015 kemi pasur 25 milion euro të mbledhura derisa gjatë këtij viti kemi 35 milion euro të mbledhura”, thekson ai.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro. Nga kjo shumë e mjeteve do të përfitojnë edhe prodhuesit nga Kosova.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë presin që këto mjete të ndikojnë në rritjen dhe zgjerimin e kapacitetet të prodhuese dhe përpunuese vendore, ku më pas do të ketë edhe rritje të eksportit.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se efektet pozitive nga zbatimi i MSA-së, do të shihen në fund të vitit. Ai thotë se produktet e Bashkimit Evropian të cilat vinë në Kosovë do të duhej të shënojnë ulje.

MSA shton Gashi do të jetë një mundësi e mirë edhe për investime të huaja, për arsye se investitorët do të kenë qasje në një treg prej mbi 500 milion banorë.

“Bilanci tregtar do të ndikohet pak nga MSA, por në të ardhmen mendojë se bilanci tregtarë do të jetë më pozitiv për arsye se eksportet kosovare do të kenë qasje më të lehtë në tregun e BE-së, ndërsa sa i përket importit nuk mendojë se do të ketë ndikim domethënës për arsye se 45 për qind e produkteve të BE-së kanë hyrë në Kosovë edhe para zbatimit të MSA-së”, thekson Gashi.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje, nga autoritetet e Kosovës ishte konsideruar si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme