MSh-ja bart kompetenca të reja te Odat e Profesionistëve Shëndetësorë

Prishtinë | 03 Kor 2017 | 11:58 | Nga

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Imet Rrahmani, dorëzoi sot vendimin për bartjen e kompetencave për akreditim të institucioneve shëndetësore te Odës së Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, Odës së Farmacisë, Odës së Stomatologëve si dhe Odës së Fizioterapeutëve, të cilës iu dorëzua edhe vendimi i bartjes së përgjegjësisë për rilicencim.

Ministri Rrahmani tha se falë vullnetit për punë dhe bashkëpunimit të treguar në mes Ministrisë dhe Odave, po bëhen bartjet e reja të përgjegjësive që odave ju takojnë në bazë të Ligjit.

Ai tha se MSh-ja do të jetë përkrahëse e vazhdueshme e odave siç duhen të jenë përgjegjëse dhe bashkëpunuese odat me Ministrinë, në procese të caktuar në bazë të përgjegjësive ligjore që ato i kanë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Hysni Bajrami, tha se Ministria është në fazën përfundimtare të bartjes së kompetencave për Odat, ku pastaj kalon në fazën monitoruese të tyre, por pavarësisht kësaj MSH do të jetë mbështetëse e Odave deri në funksionalizimin dhe pavarësimin e plotë të tyre.

Përfaqësuesit e Odave u shprehën falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që MSh-ja po ju ofron, si dhe u zotuan se në bazë të ligjit do të marrin kompetencat që u takojnë, dhe do të punojnë në vazhdimësi për funksionalizimin e plotë dhe fuqizimin e tyre si Oda.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme