MSh-ja dhe komunat flasin për sigurimet shëndetësore

Prishtinë | 14 Mar 2017 | 14:21 | Nga

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani mori pjesë sot në një takim me kryetarët e Komunave të Kosovës, të mbajtur në Prishtinë dhe të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku i njoftoi ata me përgatitjet e Ministrisë për implementimin e premiumeve shëndetësore për sigurimin shëndetësor.

Duke e konsideruar si shumë të rëndësishme përkrahjen e institucioneve të tjera dhe në këtë mes edhe të komunave të Kosovës për këtë proces, Ministri Rrahmani tha se MSh bashkë me disa ministri dhe agjensione të tjera është duke kryer përgatitjet që nga korriku i këtij viti,  sipas vendimit të Qeverisë, të fillohet me mbledhjen e premiumeve për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Në këtë mes, ai ka përmendur ndryshimet legjislative që janë në proces, ndërkohë që ka numëruar edhe përfitimet e para të cilat pritet t’i gëzojnë qytetarët pas fillimit të mbledhjes së premiumeve.

Ministri Rrahmani tha se tashmë MSh-ja ka nënshkruar kontratat me gjashtë komunat pilot të Kosovës (Prishtina, Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva, Dragashi) për pagesën e bazuar në kapitacion sipas performancës, skemë kjo e cila nga viti tjetër planifikohet të zgjerohet edhe me shumicën e komunave të tjera, prej të cilave kontrata, komunat përfitojnë nga 2.4 euro për çdo pacient që e regjistrojnë në

Sistemin e Informimit Shëndetësor, sipas kritereve të caktuara.

Gjithashtu, Ministri theksoi se MSH-ja është në proces të finalizimit të listës së barnave jashtë spitalore që qytetarët të cilët paguajnë premiumin shëndetësor do të marrin falas në barnatore dhe do cilat do të rimbursohen nga Ministria, ndërkohë që përfitimi i tretë pritet të jetë furnizimi i rregullt dhe i plotë i QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme me barna dhe material shpenzues.

Kryetarët e komunave kanë parashtruar pyetje të ndryshme me qëllim të informimit për shumë aspekte që lidhen me sigurimet shëndetësore.

Në këtë takim, përveç tjerash, Ministri Rrahmani ka kërkuar nga kryetarët e Komunave që të angazhojnë mekanizmat e tyre lokalë për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme