MSh-ja ndan certifikata për mjekët e trajnuar

Prishtinë | 17 Maj 2017 | 13:22 | Nga

Në vazhdën e aktiviteteve të projektit për trajnimin e stafit mjekësor dhe promovimin e Kujdesit Primar Shëndetësor në pilot komunat e Kosovës (Prishtinë, Prizren, Malishevë dhe Dragash), në Qendrën e Zhvillimit të Mjekësisë Familjare – MSh u mbajt sot ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për vijuesit e këtij projekti.

Gjatë kësaj ceremonie, certifikatat iu shpërndanë një pjese të trajnuarve nga komunat Prishtinë, Malishevë, Rahovec dhe Suharekë, të cilët kanë ndjekur trajnimin e 5 modular të mjekëve dhe infermierëve të qendrave të mjekësisë familjare në fushën e:

Shëndetit publik; Nëna dhe familja përfshirë shëndetin riprodhues; Emergjencat mjekësore në shëndet publik; Shëndeti mendor dhe Sëmundjet kronike dhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

Duke i përgëzuar vijuesit e këtyre trajnimeve, Ministri i Shëndetësisë në detyrë Imet Rrahmani tha se është shumë i kënaqur që Kujdesi Parësor Shëndetësor në Kosovë ka marrë drejtimin e duhur të zhvillimit dhe se gjatë mandatit të tij, këtë nivel të Kujdesit Shëndetësor e ka trajtuar si prioritet, duke e konsideruar si shtyllë të sistemit shëndetësor në Kosovë.

“Për rreth dy vjet e gjysmë kemi arritur rezultate impresive në Kujdesin Parësor Shëndetësor, kemi arritur që kujdesin parësor shëndetësor ta përkrahim në ecjen e duhur, ja kemi dalë që të ndalim aferat dhe skandalet në shëndetësi, gjatë kësaj kohe nuk pati burgosje spektakulare të mantel-bardhëve të cilët po japin shumë nga vetja në fuqizimin e sistemit shëndetësor, etj”, tha Ministri Rrahmani.

Ai uroi që shëndetësia të vijojë zhvillimin e saj dhe asnjëherë të mos kthehet epoka e aferave e skandaleve, që kanë dëmtuar edhe besimin e qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor.

Ministri Rrahmani tha se Kujdesi Parësor Shëndetësor është dëshmia se në shëndetësi është punuar shumë dhe se ka ende shumë për t’u punuar me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave është organizuar nga Instituti Kosovar për Menaxhim (IKM), i kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Banka Botërore për zbatimin e projektit “Kosovo Health Project Nr P147402”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme