MSh nxjerr udhëzim administrativ për rregullimin e çmimit të barnave

Prishtinë | 12 Pri 2018 | 19:03 | Nga

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë udhëzim administrativ për rregullimin e çmimit të barnave.

Përmes një njoftimi në Facebook, Ismaili ka thënë se kjo është një etapë e re për Ministrinë e Shëndetësisë e cila ndryshon tërësisht situatën jo të mirë që ka qenë deri më sot.

Mes tjerash, udhëzimi përcakton çmimin maksimal të blerjes (tavani i çmimit) për produkte medicinale; cakton çmimin për reimbursim nga Fondi për Sigurim Shëndetësor për secilin produkt medicinal.

POSTIMI I PLOTË:

Të dashur qytetarë,

Sot kam një lajm të rëndësishëm për t’jua dhënë rreth zhvillimeve të fundit në sektorin shëndetësor.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, sistemi shëndetësor, përkundër përpjekjeve të cilat nuk i mohoj se kanë ndodhur, vazhdimisht është ballafaquar me probleme të shumta, si: Furnizimi me barna, blerja e produkteve nga Lista e Barnave Esenciale nga Ministria e Shëndetësisë, rimbursimi i tyre, çmimet e fryra, dëmtimi i buxhetit etj.

Prandaj, sot dua t’ju njoftoj që pas një pune gjashtëmujore intensive, për herë të parë pas 19 viteve, ne kemi përgatitur draftin e Udhëzimit Administrativ, i cili përfundimisht rregullon çmimet e produkteve nga Lista e Barnave Esenciale.

Kjo është një etapë e re për Ministrinë e Shëndetësisë, e cila ndryshon tërësisht situatën duke nxjerrë përfitime të shumta.

1. Përcakton çmimin maksimal të blerjes (tavani i çmimit) për produkte medicinale – Duke ndaluar blerjen e barnave me çmime shumëfish më të larta.

2. Cakton çmimin për rimbursim nga Fondi për Sigurim Shëndetësor për secilin produkt medicinal.

Për këtë arsye, ne nesër kemi organizuar edhe një diskutim publik në të cilin do të flitet për këtë Udhëzim Administrativ para se ta dërgojmë në Qeveri.

Ngadalë po përmbushim tërë infrastrukturën ligjore për rregullimin e furnizimit të qëndrueshëm me barna me çmime kost-efikase, pa dëmtuar buxhetin e shtetit dhe duke mënjanuar çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm.

Të ngjashme