Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përmes një komunikate ka informuar se ka pranuar rezultatet e analizave të produktit Gensulin M 30 dhe Gensulin R nga Laboratorin për Cilësi të Agjencisë Kombëtare të Produkteve dhe Pajisjeve Mjekësore “Halmed” në Zagreb të Kroacisë, të cilat u dërguan kohë më parë për analiza, pas disa shqetësimeve të ngritura lidhur me këtë produkt nga disa endokrinologë kosovarë, kryesisht në media, për siç konsideronin ata, “efekte jo adekuate të produktit Gensulin”.
Sipas rezultateve zyrtare të analizave të bëra për disa mostra të këtyre dy produkteve, të cilat Laboratori Zyrtar për Cilësi “Halmed” ia ka përcjellë AKPPM-së, rezulton se parametrat e analizuar të Gensulin M 30 dhe Gensulin R (vizualiteti, pastërtia, Ph, identifikimi i HPLC, përmbajtja e HPLC, steriliteti, endotoksinat bakteriale, etj.) u përgjigjen të gjitha specifikave të deklaruara për parametrat e analizuar të këtyre dy produkteve, përkatësisht rezultatet janë brenda standardeve të parametrave të analizuar, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Siç dihet, mostrat e produktit Gensulin, u dërguan në qershor nga Inspektorati Farmaceutik i MSh-së dhe AKPPM, për analizë në Zagreb, me qëllim që qytetarët, publiku dhe në veçanti pacientët me diabet të sigurohen se MSh ka ndërmarrë masa për të siguruar që ilaçet që përdoret t’i plotësojnë standardet e cilësisë.
Duke informuar për rezultatet e këtyre analizave, ashtu siç ishte premtuar me rastin e dërgimit të mostrave në Zagreb për testim, Ministria e Shëndetësisë rithekson faktin interesi kryesor i saj mbetet ruajtja dhe përparimi i shëndetit të pacientëve dhe transparenca në çdo rrethanë.