Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka pritur në takim DamienShiels menaxherin për Evropën dhe Amerikën Latine në IFC me ekipin e tij, që bashkëbiseduan për projektet e ardhshme që do t’i realizojë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Shala theksoi se IFC konfirmoi se së shpejti do të fillojë me një projekt të ri që do t’i mbështesë prodhuesit vendor, kryesisht në prodhimtarin teknologjike, që mundëson fuqizimin e tyre dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Temë e debatit ishte edhe shkëmbimi i përvojave në tërheqjen e investimeve me vendet e ngjashme siç është Irlanda. U vlerësuar edhe fuqizimi i mekanizimit për trajtimin e ankesave për investitorët, që do të bëhet në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është falënderuese ndaj IFC-së dhe Qeverisë Zvicerane për mbështetjen e deritanishme dhe ne jemi të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin në projektet që na presin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ministri Shala.
Ministri Shala theksoi se MTI është mjaft e kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë në implementimin e Projektit “Përmirësimi i Klimës së Investimeve 2 – faza e dytë” që është duke u implementuar nga IFC/Banka Botërore dhe që ka për qëllim përkrahjen me asistencë teknike në realizimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbështetjen e vazhdueshme të KIESA, ARBK-së dhe agjencive tjera të MTI-së për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte si dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit privat në Kosovë.
“MTI po ashtu bashkë-kryeson edhe Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kemi themeluar edhe Sekretarinë Teknike të KKZHE-së. Ne paraprakisht jemi dakorduar me zyrtarët e IFC-së që në kuadër të kësaj Sekretarie të kemi edhe një Sistem për Trajtimin e Ankesave që vijnë nga investitorët që operojnë në Kosovë”, tha Shala.
Ndërsa DamienShiels konfirmoi se së shpejti IFC do të nis me një projekt të ri në mbështetje të prodhuesve vendor, duke ndikuar edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.