MTI dhe Komuna e Lipjanit bashkëfinancojnë Parkun Industrial

Lipjan | 30 Gus 2016 | 18:35 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi sot Komunën e Lipjanit, e cila u prit nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.

Me këtë rast, ministrja Bajrami dhe kryetari Ahmeti nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit të Parkut Industrial, i cili do të ndërtohet në Qylagë të Komunës së Lipjanit. Ky Park Industrial është licencuar këtë vit, dhe kjo shënon fazën e parë të investimeve në këtë projekt të rëndësishëm.

Ministrja Bajrami theksoi se financimi i ndërtimit të Parqeve Industriale është pjesë e strategjisë së MTI-së, si komponentë e rëndësishme e planit të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes për kompanitë nga vendi si dhe për investitorët e huaj.

Vlera e parashikuar e investimit për vitin 2016 është 282 000 euro, ku prej kësaj shume MTI kontribuon me 24 000 euro, ndërsa Komuna e Lipjanit me 40 000 euro.

Ministrja Bajrami premtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën në krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për afarizëm në vendin tonë, duke ua mundësuar bizneseve që të rrisin performansën e tyre në të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së ekonomisë së vendit tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme