Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar në Gjilan panairin “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale”, raporton Ekonomia Online.
Zv. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbresha Krasniqi tha se MTI-ja ka vendosur objektivat e veta që të fuqizohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke fuqizuar kështu zhvillimin ekonomik dhe mundësinë e punësimit në Kosovë.
“Ne kemi nderin dhe kënaqësinë që sot të jemi në hapjen e panairit “Gratë në biznes dhe artizanate”, është përkrahur plotësisht nga MTI përkatësisht nga KIESA dhe ndihemi mirë që bizneset e tilla po fuqizohen dhe po përkrahen duke e ditur që tani më. MTI ka vë objektivat e veta që të fuqizohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke fuqizuar kështu zhvillimin ekonomik, mundësinë e punësimit në Kosovë dhe absolutisht kjo oshtë punë e palodhshme dhe e pashmangshme e MTI-së”.
“Në këtë rast dua të ndajë edhe një ndjenjë pozitive që vijnë nga MTI duke e vënë fokusin e veçantë në zhvillimin ekonomik, është vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës e cila i ka dhënë mundësi të drejtpërdrejtë fuqizimit të bizneseve në Kosovë dhe t bërit biznes në Kosovë tani më është më i lehtësuar dhe është i përkrahur nga institucionet përkatëse dhe do të kenë mundësinë e vazhdueshme që të zhvillojnë aktivitetet e tyre”.
“Gratë në biznes, shumë suksese, e di që është e mundshme, e di që kërkon angazhim dhe aktivitet por e di që aty ku është gruaja sigurisht nuk do të mungon edhe suksesi. Unë ndihem mirë që MTI-ja ka përkrahur gratë në biznes dhe do vazhdojmë t’i përkrahim ato dhe të gjitha bizneset që Kosova të jetë më e zhvilluar ekonomikisht dhe mundësia e të bërit biznes të jetë më e lehtësuar”, tha Krasniqi.
Kryesuesja e Kuvendit Komunat në Gjilan, Shpresa Kurteshi, u premtoi grave në biznes për angazhimin e institucioneve në këtë drejtim.
“Ne jemi këtu për t’i bërë të gjitha ato që na takojnë si institucione gjithashtu përshëndes edhe angazhimin e drejtoreshës që ka ndihmuar në këtë event, ju premtoj që do jemi gjithmonë afër jush të angazhuar”, tha Kurteshi, raporton EO.
Në këtë panair do të marrin pjesë rreth 32 biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të Kosovës.