MTI: Prioritete përkrahja e sektorit privat dhe klimës për biznes

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 20:40 | Nga

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, priti në një takim njohës ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell.

Me këtë rast, ministri Hasani i ka njoftuar përfaqësuesit e Ambasadës Britanike lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe me prioritetet e kësaj ministrie nën udhëheqjen e tij.

Ai me theks të veçantë përmendi përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat, përmirësimin e klimës së biznesit dhe heqjen e pengesave për bizneset, si dhe rregullimin e tregut të brendshëm dhe integrimet ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare, si prioritete të tij në krye të MTI-së.

Ambasadori O’Connell e përgëzoi ministrin Hasani për pozitën e re si ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm që e ka pasur në të kaluarën me MTI-në në realizimin e projekteve dhe prioriteteve strategjike të institucioneve kosovare.

Ai e njoftoi ministrin Hasani për aktivitetet e zhvilluara në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në zhvillimin dhe avancimin të KIESA-s më konkretisht në promovimin e mundësisë së investimeve në Kosovës nëpërmjet organizimit të konferencave B2B, si dhe përkujdesjes ndaj investitorëve, etj.

Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të dy institucioneve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme