Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim të vazhdimit të mbrojtjes së prodhimit vendor, që është prioritet, pas një hetimi të departamentit përkatës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka marr masa mbrojtëse për qumështin duke u bazuar në kompetencat ligjore në pajtim me nenin 1 dhe paragrafin 1 të nenit 2 të Ligjit nr. 041/L-047, si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes CEFTA.
Vendimi ka ardhur pas një hetimi që është konstatuar se importi nga Bosnja dhe Hercegovina është rritur mbi masën 20 për qind dhe ka ndikuar në dëmtimin e produkteve vendore për faktin se importi i produkteve të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina është me çmim të ulët i cili është nën koston e prodhimeve vendore të qumështit.
Siç parashihet në nenin 8 të Ligjit për Masat Mbrojtëse në Importe, se ka bazë të mjaftueshme për të përcaktuar se rritja e importit, si dhe kushtet në të cilat kryhet ky import, kërcëno t’u shkaktoj dëme serioze prodhuesve vendorë të produkteve të ngjashme.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e autorizuar, në bazë të dëshmive të mjaftueshme, të zbatojë ligjin për të mbrojtur prodhuesit e produkteve të qumështit kur kërcënohen të përjetojnë dëme serioze nga importi i qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Këto masa mbrojtëse prekin mijëra prodhues dhe përpunues të qumështit që operojnë në tregun e Kosovës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë me masa mbrojtëse për prodhuesit vendor, në momentin që vërtetohet se ka bazë ligjore.
Kjo masë mbrojtëse afekton rreth 3 mijë bujq fermerë që kanë ferma me nga 5 lopë e deri 250 dhe mbi 30 përpunues të qumështit.