Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mbahet aktivitet në institucione arsimore

Prishtinë | 23 Tet 2025 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të fushatës së muajit Tetor – Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Prishtinë, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në institucione arsimore, si dhe me gra në komunitet.

Doktoresha Valbona Maloku nga Departamenti i Mjekësisë Sociale ka zhvilluar një ligjëratë informuese për mënyrat e parandalimit të kancerit të gjirit dhe gjithashtu janë mbajtur diskutime të hapura për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje në Universitetin “UBT” në Prishtinë me studentë dhe staf akademik, në Institucionin parashkollor “Piramida” në Fushë Kosovë, me edukatore dhe nëna, si dhe te “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë me nxënës të klasave të nënta dhe me mësimdhënës.

Gjatë aktiviteteve janë shpërndarë fletushka me informacione mbi faktorët e rrezikut të sëmundjes së kancerit të gjirit , shenjat paralajmëruese dhe mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundje.

Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve ishte edukimi dhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, vetëkontrollin e gjirit dhe kontrollet e rregullta mjekësore.

Të ngjashme