Në dialogun që po vazhdon për më shumë se një dekadë në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, periudha që po vjen është më e rëndësishmja, ka deklaruar për Albanian Post, Gordan Grliç-Radman, ministri i Kroacisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Prandaj, Grliç-Radman – që karrierën si diplomat e filloi bashkë me vetë shtetin e Kroacisë kur fitoi pavarësinë nga Jugosllavia dhe disa nga ambasadat e shtetit të pavarur i themeloi vetë – tërheq vërejtjen për vëmendje të shtuar në këtë kohë.
“Këta muajt e ardhshëm do jenë vendimtarë për marrëveshjen”, thotë Grliç-Radman në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Post.
Cilat do jenë specifikat, Grliç-Radman pohon se nuk i di, porse “çfarëdo zgjidhje për të cilën gjendet pajtim, duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”.
Kohët e fundit ka pasur një aktivitet të madh diplomatik nga perëndimi për çështjen e dialogut dhe koordinim mes autoriteteve dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht të dërguarit për Ballkanin, Gabriel Escobar.
“Kur ka vullnet, ka edhe shanse”, thotë Grliç-Radman për mundësinë e arritjes së një marrëveshje, por “bashkëpunimi aktiv në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomacisë evropiane në këtë çështje është padyshim inkurajuese”.
Grliç-Radman është kryediplomat i Kroacisë nga vera e vitit 2019. Për t’u bërë kryeministër kishte lëshuar pozitën e ambasadorit të Kroacisë në Gjermani e para Gjermanisë në Hungari.
Ai u bë shumë i përfolur kohëve të fundit në Serbi, kur anuloi një vizitë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kroaci.
Vuçiç e kishte menduar vizitën në nivel privat, por Grliç-Radman s’kishte dhënë leje. Pati deklaruar se vizita s’mund të bëhet dot, sepse “s’jemi njoftuar zyrtarisht” dhe “duhet ta dimë agjendën, kohën zyrtare dhe natyrën e vizitës paraprakisht”.
Qëndrimi Grliç-Radman prodhoi tensione diplomatike, prandaj ai deklaron për AP se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet ta ketë edhe efektin e stabilitetit rajonal.
“Ne presim që dialogu të rezultojë me një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që do normalizonte raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne mbështesim zgjidhje që do të kontribuonin në stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin në rajon dhe që do çonin të një njohje e ndërsjellë”, thotë ministri kroat.
“Pozicioni ynë është që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me normalizimin e raporteve në mes dy vendeve”.
Sa për njohjen e Kosovës nga Serbia, për të cilën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se duhet të jetën “në qendër”, Grliç-Radman beson se kjo “është e pashmangshme”.
Politikani korat përmend edhe faktin se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen të gjitha, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Të gjitha marrëveshjet të arritura në Bruksel duhet të respektohen. Gjithsesi, Asociacioni duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të ketë fuqi që e vënë në rrezik sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”.
Asociacioni nuk është tema e vetëm në të cilën Kosova dhe Serbia kanë mospajtim në implementim në raport me çfarë është arritur në Bruksel në dekadën e kaluar.
Vetëm edhe pak ditë, skadon edhe marrëveshja gojore e arritur për letërnjoftimet, derisa përfundon afati për ri-regjistrimin e targave nga ato të Serbisë në RKS, për serbët në Veri.
Grliç-Radman u druhet tensioneve, edhe për faktin që shtete të tjera – të treta – provojnë të shtrinë influencën vazhdimisht në Ballkan.
“S’ka dyshim që Evropa Juglindore është e ekspozuar karshi influencave të vendeve të treta, siç pamë edhe rishtazi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Prandaj, bashkëpunimi në mes të BE-së dhe NATO-s është ekstremisht i rëndësishëm në rrethanat që jemi”, thotë ai.
“Për këtë, mirëpresim veçanërisht deklaratat e bëra së fundi nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, se KFOR-i është gati të mbajë rendin dhe paqen në Kosovë”.
Ballkani i Hapur, i panevojshëm sipas Grliç-Radman
Për ministrin e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Kroacisë janë dy arsyeje që e bëjnë nismën “Ballkani i Hapur” të panevojshëm – mungesa e mekanizmave për implementim dhe duplikimi i atyre që tashmë veçse i parasheh Procesi i Berlinit.
“Fuqizimi i stabilitetit të përgjithshëm në Ballkanin Perëndimor është interes strategjik i Kroacisë. Kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet sfidave që po bëhen shumë komplekse në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë. Zhvillimi dhe integrimi ekonomik i rajonit dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik qëndron krucial”, deklaron Grliç-Radman, prandaj “Procesi i Berlinit ka sjellur lëvizje pozitive në këtë drejtim”.
Kroacia thotë ai mbështetë të gjithë mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në rajon si një përbërës esencial për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, por “nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk ofron zgjidhje për zbatimin operacional dhe dyfishon përpjekjet ekzistuese në kuadër të Procesit të Berlinit”. /Albanianpost.com