Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se arrestimi i të ashtuquajturit shef i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, të hënën, është fitore e Kosovës në disa rrafshe – e tillë që nuk mund të marrë kurrfarë dimensioni të paqenë, apo të lakohet me çfarëdo tendence.
Në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se beson se vendimi i Listës Serbe që të largohet nga Qeveria e Kosovës, në shenjë proteste për këtë zhvillim, nuk është përfundimtar; rrjedhimisht që mund dhe do të gjenden mundësi për kthimin e saj në institucione.
“Një ngjarje e tillë ka shumë perspektiva, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë vizuel ndërkombëtar dhe vendor. Në aspektin e jashtëm Kosova ka shënuar fitore, sepse akti i saj ka qenë i bazuar në ligje dhe i parashtruar në mënyrë të duhur. Nuk ka qenë akt i përshpejtuar, apo me ambicie tjetër. Ndërsa, sa i përket cështjes së mediave, në të gjitha mediat ndërkombëtare u prezantua arrestmi si i një zyrtari serb që ka hyrë në mënyrë ilegale. Pra nuk mund të keqinterpretohet, të devijohet, si një akt që synon përkeqësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Në aspektin e brendshëm pasojat u panë sot, me vendimin e Listës Serbe për t’u tërhequr, ndërsa deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se nuk do të përzihet mund të jetë shenjë që ai nuk do t’i japë shumë peshë këtij vendimi. Ishte vendim i momentit dhe emocional dhe me kalimin e kohës besoj që do të gjenden modalitete që ata të kthehen në qeveri”.