Analisti politik, Artan Muhaxhiri, duke komentuar vazhdimin e pestë të seancës konstituive ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me partnerët në koalicion kanë mundësi të artë që të formojnë qeverinë e re të Kosovës dhe ta lanë PDK-në në opozitë.
Por, sipas Muhaxhirit, nëse partitë politike vazhdojnë të nxjerrin nga raftet e tyre problemet historike që i kanë me njëra-tjetrën atëherë vështirë të bëhet ndonjë koalicion.
“Nëse secila parti i nxjerr problemet historike atëherë asnjë koalicion e asnjë qeveri nuk mund të bëhet asnjëherë”, pohoi Muhaxhiri në Klan Kosova.
“Por, LAA e Vetëvendosje kanë mundësi të artë të vijnë në pushtet nëse bashkëpunojnë njëra me tjetrën”.
Megjithatë, me çfarë u pa në Kuvend, Muhaxhiri pohon se vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje mes kujtdo.
“Nuk ka asnjë indikacion se ndonjë nga palët ka ide, guxim e vullnet ta zhbllokojë situatën. Politikanët tanë po bëjnë atë që e bëjnë më së mirë: të mos u japin përgjigje sfidave, por të zhvendosin vëmendje”.
“Askush s`foli për atë se si e kanë ndërmend t’i bëjnë 61 vota. S’ka ide, koncept as vizion dhe kjo gjendje zhgënjyese pritet të vazhdojë”.