Mujota: Kurti e Osmani po lidhin litarin e tyre politik

Prishtinë | 17 Shk 2023 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Fehmi Mujota nga PDK-ja ka thënë se në vitin 2014 e tutje Kosova e ka humbur hapin për të gjetur zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë në dialogun me Serbinë.

Mujota tha se Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet që i ka nënshkruar.

“E kemi humbur hapin në vitin 2014 e tutje për t’i gjetur zgjidhje më të shpejt dhe lehtë dhe të pranueshme dhe në kuadër të dokumenteve ndërkombëtare. Kosova duhet të paraqitet shtet dhe të qëndrojë serioze sepse marrëveshjet që i ka bërë dhe bën duhet t’i respektojë. Ato kanë qenë në kornizën e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të Kosovës, por edhe ligjeve ndërkombëtare. Po të bëhej zgjidhja para vitit 2015 më e mirë dhe e lehtë”, ka deklaruar ai në Tëvë1.

Sipas tij, Kosova nuk do të arrij që të marrë njohje nga Serbia.

“Zgjatja e mospërmbylljes së njohjes mes Kosovës dhe Serbisë, do të lë gjithmonë mundësi për dilema tjera dhe kërkesa tjera. Po të bënte një rrugë më ndryshe para 3 viteve, ka pasur mundësi, tash po më duket se jemi vonë. Kosova nuk do të arrijë që të marrë njohje nga Serbia”, shtoi Mujota.

Po ashtu, ai foli edhe për pushtetin aktual, me ç’rast tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë pasur rrugë të tjera të bëjnë në skenën politike, por sipas tij, dy liderët institucionalë po lidhin litarin e tyre politik.

“Klasa politike sot në qeverisje, për momentin nuk jam në pozita zyrtare, por nga viti 2000 kam ushtruar detyra të caktuara. Në rrethana të tilla me siguri ka pasur rrugë të tjera të bëjë edhe kryeministri dhe presidentja e vendit në skenën politikë dhe të ketë konsideratë më shumë. Më sa duket pak si shumë i ka mjaftuar vetja kryeministrit dhe presidentes dhe ata po lidhin litarin e tyre politik. Me sa duket në rrugën që kanë hyrë nuk do të arrijnë maksimumin që është dashur të arrihet”, theksoi Mujota duke shtuar se Kurti e Osmani “kanë lënë një gjurmë të keqe në të kaluarën e tyre politike”.

Të ngjashme