Ndeshja Brazil-Argjentinë, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës, është shndërruar në një kaos të vërtetë.
Dueli klasik po zhvillohej në “Maracana” në Rio dhe që në fillim të ndeshjes ka pasur tensione, raporton Indeksonline.
Gjatë intonimit të himneve pati vërshëllima nga ana e tifozëve, teksa situata eskaloi kur tifozët argjentinas u përplasen me policinë braziliane.
Policia u detyrua të përdorë shkopinjtë e gomës për të neutralizuar turmën, teksa kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, tërhoqi ekipin e tij në zhveshtore.
Ky i fundit, pas përfundimit të ndeshjes, tha se ishte keq të shihje rrahjen e tifozëve.
“Ishte keq sepse pamë se si po i rrihnin njerëzit. Shkuam në dhomat e zhveshjes sepse ishte mënyra më e mirë për të qetësuar gjithçka. Mund të kishte përfunduar në tragjedi”, ka thënë Messi.
“Ju mendoni për familjet, njerëzit që janë atje, të cilët nuk e dinë se çfarë po ndodh dhe ne ishim më të shqetësuar për këtë sesa të luanim një ndeshje që, në atë pikë, ishte e një rëndësie dytësore”, shtoi ai.
Kapiteni i Brazilit, Marquinhos, i cili iu bashkua lojtarëve të Argjentinës në fushë duke bërë thirrje për qetësim në tribuna, shtoi: “Ne ishim të shqetësuar për familjet, gratë dhe fëmijët, që po shihnim në panik atje në tribuna. Poshtë në fushë ishte e vështirë për ne të kuptonim se çfarë po ndodhte, ishte një situatë shumë e frikshme”.
Ndeshja përfundoi me epërsi minimale për Argjentinën.