Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror Zgjedhor, është konfirmuar se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka marrë gjithsej 7237 vota, të mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Si njëri ndër të akuzuarit për sulmin ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, Krasniqit dje me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak deri me datë 28.08.2017.
Në rast të mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, para datës 28 gusht, Frashër Krasniqi, mund të marr pjesë në seancë vetëm me lejen e kryetarit të Trupit gjykues.
Avokati Tomë Gashi, për Gazetën Observer, ka shpjeguar rrugën ligjore që ia mundëson Frashër Krasniqit pjesëmarrjen në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Do të bëjmë një kërkesë të posaçme tek gjyqtari, përkatësisht kryetari i Trupit gjykues, Beqir Kalludra. Gjyqtari nuk ka kurrfarë arsye që të mos e lejojë këtë. Besoj se klienti im, Frashër Krasniqi si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk do të duhej të kishte asnjë problem për pjesëmarrje në seancat e Kuvendit të Kosovës”, thotë Gashi .
Por, nëse Krasniqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe pas datës 28 gusht 2017, atëherë Gashi thotë se leja duhet kërkuar nga kryetari i Trupit gjykues sa herë që Frashëri do të marr pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës.
“Nëse nuk ndryshon masa e arrestit shtëpiak e cila është vazhduar deri me 28 gusht, atëherë nëse seancat caktohen, do të duhet të kërkohet leje e veçantë, dhe besoj se Kryetari i Trupit gjykues do të lejojë një gjë të tillë. Ligji e lejon, kështu që nuk do të ketë kurrfarë problemi për pjesëmarrjen e tij në seancat e Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar Gashi.
Në anën tjetër, pasi u përzgjodh si njëri ndër deputetët e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Krasniqi përmes një postimi në Facebook ka falënderuar votuesit e tij duke premtuar se do t’i përfaqësojë besnikërisht.