“Mundet me pasë reduktime” – Ymeri: Import i lartë, nuk ka stabilitet energjetik

Prishtinë | 18 Jan 2026 | 08:00 | Nga Drita Dërmaku

Ndonëse paralajmërimi ishte për një ditë, megjithatë ekspertja e energjisë, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri vlerëson se Kosova do të përballet me reduktime të energjisë elektrike, pasi që, sipas saj ka import të lartë të energjisë dhe mungon planifikimi.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Janina Ymeri ka vlerësuar se kapacitetet aktuale të prodhimit nuk po arrijnë të mbulojnë kërkesën.

“Edhe pse është ngritur blloku B1 dje dhe A4 është funksionalizuar, prapë se prapë A4 ka kapacitet gjenerues shumë më të vogël sesa që është dashur, ose shumë më të vogël se sa që është normale, dhe kjo bën që edhe sot të jemi në import. Deklaratat e KEK-ut për gjenerimin që po bëjnë nuk po e sanojnë situatën, domethënë jemi 400 deri në 500 megavat të importuara në orë dhe kjo i bie që importi mund të shkojë deri në 50 mijë euro”, tha ajo.

Ymeri vlerëson mundësia e reduktimeve vie si shkak që nuk ka stabilitet energjetik.

“Mundet me pasë reduktime, sepse nuk ka stabilitet energjetik. Ose import shumë i lartë, ose reduktime të energjisë elektrike – duhet ta kemi të qartë. Prishtina ndikohet shumë më pak nga reduktimet e energjisë elektrike, por po e shoh që vendet si Ferizaj janë të atakuara shumë më shumë prej reduktimeve. Pra, nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, ose është import, dhe ajo që ka ndodhur në ditët e kaluara është se nuk ka pasur as kapacitet për import dhe më pas kanë shkuar me reduktime”, theksoi Ymeri.

Ymeri ka bërë të ditur se gjatë orëve të mesnatës importi ka arritur deri në 700 megavat në orë, duke vënë në pah kufizimet teknike të sistemit.

“Është import shumë i lartë, 700 megavat në orë ka shkuar në orët e mesnatës, e as nuk ka rrugë transmetuese të mjaftueshme për me pasë tërë atë import. Duhet me planifiku më herët importin, nuk mundesh brenda ditës me thënë se po importon kaq, sepse nuk janë planifikuar, për shembull, në suaza vjetore. Kanë pasur dallime në nominime, nominime i bie me tregu më herët se sa ke me importu. KESCO ka dalluar në nominime atë se çka ka thënë me importu dhe çka ka importu në fakt”, tha ajo.

Kritika ajo ka adresuar edhe ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

“ZRRE-ja, së pari, duhet me e bërë planin e energjisë elektrike të sektorit të energjisë, të cilin nuk e ka bërë për vitin 2026. Në fakt, edhe vitin 2025 e ka lënë në mulli deri në dhjetor të 2025-s. Fjala e parë dhe e fundit në sektorin e energjisë elektrike është ZRRE-ja; nëse ZRRE hesht, atëherë gjithçka është anarki, amulli, secili bën gjithçka që mendon se duhet bërë, nuk po them çka do, por çka mendon se duhet bërë – e që nuk është në rregull”, tha Ymeri.

Duke folur për situatën aktuale, ajo ka thënë se Kosova nuk ka asnjë mundësi eksporti.

“Këto ditë nuk ka shansa për eksport, 24 orë është import. Edhe në ditët më të mira ne eksportojmë vetëm gjatë natës, energjia mundet ose me u importu ose me u eksportu, po mendoj mesnatën. Prej orës 10 rëndom ka shkuar import deri në orën 12, sidomos në orën 17:00 dhe orët e mbrëmjes 20:00, 21:00 dhe 22:00. Këto ditë, me çmimin e bursës ndërkombëtare, nëse është mbuluar dita me 1 milion euro, jemi me fat”, shtoi ajo.

Më 13.01.2026, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) paralajmëroi se më 14.01.2026, vendi do të përballet me reduktime të energjisë elektrike, për shkak të diferencës së madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real të energjisë elektrike. Ndërsa më 14.01.2026, njoftoi se gjendja në sistemin elektro-energjetik në vend është përmirësuar pas rritjes së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u.

Të ngjashme