Pozita e nënkryetarit për komunitete në Komunën e Kllokotit tash 6 muaj nuk është plotësuar, ngase subjektet politike shqiptare nuk kanë arritur të dakordohen për kandidatin i cili do të ushtronte funksionin në këtë pozitë.
Në Kuvendin Komunal ishte propozuar që në këtë pozitë të emërohej Doruntina Rexhepi, e cila i takon subjektit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mirëpo ajo nuk kishte marrë vota të mjaftueshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kurse kandidatja tjetër për pozitën e nënkryetarit të Komunës ishte nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Selvije Rexhepi, mirëpo emri i saj ishte larguar si propozim, ngase kishte pasur vërejtje se ajo nuk ishte banore rezidente e Komunës së Kllokotit.
Subjektet politike shqiptare në Kuvendin Komunal të Kllokotit përfaqësohen nga Iniciativa Shqiptare për Kllokot, e cila ka dy këshilltarë komunalë dhe me një këshilltar komunal përfaqësohen PDK-ja, Nisma, si dhe Iniciativa Qytetare në Kllokot, Mogillë.