Mungesa e kontratës për pastrim, njëra nga problemet e pazgjidhura të Gjilanit

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Pushteti komunal në Gjilan ka shënuar ngecje në implementimin e disa projekteve komunale dhe se ekzekutivi i komunës ka kërkuar nga zyrat dhe drejtoritë komunale angazhim në tejkalimin e problemeve, shkruan sot Koha Ditore.

Në takimin e bordit të drejtorëve që është mbajtur të premten është theksuar se mungesa e kontratës për pastrimin e qytetit ka ndikim negativ dhe se është kërkuar nga zyra e prokurimit angazhim shtesë në mënyrë që lënda të mos zvarritet edhe më tej në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë.

Gjithashtu është kërkuar edhe angazhim për lëndën e ndërtimit të trotuareve në lagjen “Dardania”, e cila lëndë është duke u trajtuar në OSHP, ngase në vazhdimësi ka ankesa nga operatorët. Projekt tjetër i cili nuk është implementuar është edhe ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në tri fshatrat e komunës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vlerësuar si problem të madh mungesën e kontratës së pastrimit.

”Po vazhdon kultura e moszgjidhjes së problemeve dhe kontratave të mëdha, siç është çështja e pastrimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike dhe po ashtu po hyjmë në vitin 2 të trotuareve në lagjen “Dardania”. Relacionet me OSHP-në si organ kushtetues nuk lejojnë të ndërhyjnë, mirëpo duhet të mbrohen mirë lëndët dhe duhet të evitohen ankesat dhe të përfundohen punët”, ka thënë ai.

Të ngjashme