Mungesa e ligjit, mundësi për abuzim me produktet farmaceutike

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të paguajnë çmimet më të larta të barnave në rajon, për shkak që në Kosovë mungon ligji për rregullimin e çmimit të produkteve farmaceutike.

Ata të cilët i shesin barnat thonë se ligji do të ndihmonte në punën e tyre dhe do të ndikonte në jetën e qytetarëve.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se projektligji është finalizuar dhe se javën tjetër do të procedohet.

“Nëse në secilën barnatore të Republikës së Kosovës çmimet do të ishin të njëjta, atëherë nuk do të kishte nevojë të vinte tek një konkurrencë jo lojale, sepse në Kosovë aktualisht ekziston një konkurrencë jo lojale, gjë që abuzohet me çmimet, kontrabandohet me bar”, ka thënë për Radio Kosovën, Dardane Mehaj, farmaciste komunitare.

Ajo thotë se ligji do të rregullonte punën e farmacistëve dhe do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve, duke mos e pasur problematike vendin se ku të gjejnë barna me çmime më të lira.

“Nëse do të rregullohej kjo rregullativë, ky ligj, kish me qenë më e lehtë edhe për neve si farmacistë e edhe për qytetarët, sepse puna e jonë është t’ua shpjegojmë recetën dhe t’ua dhamë këshillat pacientëve e t’iu tregojmë si merret bari kur të na pyesin, e jo t’ua tregojmë çmimin sa kushton. Aktualisht në çdo farmaci pyetja e çdo pacienti është sa kushton ky barni”, tha ajo.

Deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili është anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, deklaroi se me iniciativën e tyre Projektligji për rregullimin e çmimit të barnave, ishte dorëzuar në kuvend, mirëpo nuk ishte votuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Na e kemi dorëzuar projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, e kemi dorëzuar në kuvend për t’i ndalur çmimet abuzive, mirëpo, për fat të keq, nuk është votuar prej deputetëve të Vetëvendosjes. Është refuzuar një projektligj që rregullon çmimin e barnave derisa pacientet përball institucioneve publike kontraktojnë dhe blejnë 300 për qind më shtrenjtë”, tha Haxhiu.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Radio Kosovën se projektligji është finalizuar dhe pritet që ligji të kalojë gjatë këtij viti.

Të ngjashme