Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, gjatë lansimit të studimit “Pulsi i Sektorit mbi MSA-në” tha se rezultatet e këtij studimi kanë treguar që 60% e bizneseve janë të kënaqura me politikat fiskale që janë zbatuar kohëve të fundit, raporton Ekonomia Online.
“Marrëveshja për stabilizim dhe asocim zbatohet nga ana e ndërmarrjeve tregtare. Kjo rezulton me shifra që kanë bërë rritjen e importit me produkte nga ana e vendeve të BE-së dhe duhet të shfrytëzohet nga prodhuesit kosovarë për t’i dërguar produktet e tyre në tregjet e BE-së”, tha Zeka.
“Studimi gjen se 60% e bizneseve janë të kënaqur me politikat fiskale që janë zbatu kohëve të fundit”, tha Zeka.
“Rreth 40% e bizneseve mendojnë se gjendja është më e mirë se 3 vite më parë”, shtoi Zeka.
Zeka tha se, sipas raportit, të anketuarit nuk shprehen të kënaqur me politikat ekzistuese për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend, raporton EO.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se ndihet mirë për vlerësimin pozitiv nga ana e bizneseve për përmirësimin dhe masat fiskale.
“Ndjehem mirë që bizneset i kanë vlerësu përmirësimin dhe masat fiskale. Këtë periudhë kemi bërë veprime konkrete për politika fiskale që shkojnë në favor të bizneseve”, tha Hamza.
Hamza tregoi se gjatë kësaj periudhe lëndët e para janë liruar nga tatimi doganor.
“Jam i lumtur që në programin tonë kam arritur të mos ketë ngarkesa për bizneset, por qëllimi i reformave fiskale të jetë lehtësimi i procedurave dhe lirimi. Fokusi ynë është që bartës i rritjes ekonomike të jetë sektori privat, dhe sektori publik të krijojë kushte për sektorin privat dhe ligje të mira dhe zbatim korrekt të ligjeve”, tha ai.
Hamza tha se shpreson që në shtator të aprovohet dhe të shkojë në kuvend Ligji për Tatim në Vlerën e Shtuar dhe që ky ligj të kalojë.
Udhëheqesi i Institutit për Hulumtime Ekonomike, Visar Hapçiu, ka bërë prezantimin e studimit “Pulsi i Sektorit Privat mbi MSA-në”. Ai tregoi për metodologjinë dhe të gjeturat e këtij studimi.
Hapçiu tregoi se Oda Amerikane e ka realizuar këtë pyetësor me 500 biznese nga shtatë rajonet e Kosovës. Ai tha se të gjitha anketat janë zhvilluar përmes intervistave sy më sy gjatë muajit qershor 2018.
“Në rastin e importeve nga gjitha shtetet mund të shohim se vetëm 30% e bizneseve i vlerësojnë si të përshtatshme ato procedura , ndërsa 56% deri diku të përshtatshme, mirëpo kur bëhet fjalë për import nga shtetet e Bashkimit Evropian atëherë kjo përqindje e bizneseve që janë të kënaqshme rritet dukshëm 41%”, tha Hapçiu, në lidhje me procedurat e importit nga shtetet e BE-së.
Kujtim Gjevori, kryesues i komunitetit të prodhuesve të Odës Amerikane, bëri të ditur se viteve të fundit është vërejtur përmirësim për prodhuesit vendorë.
“Viteve të fundit është bërë përmirësim për prodhuesit vendorë, edhe pse ekziston një entuziazëm për MSA-në, ne duhet të punojmë më shumë në sektorin privat dhe atë publik”, tha Gjevori.
“E vërtetë që ka pasë përmirësime të politikave fiskale dhe kjo ka filluar të rikthehet në ekonomi të vendit, ka pasur rritje të vendeve të punës dhe në prodhime vendore dhe të eksportit”, tha ai.
“Për t’i konkuruar ose mbrojtur nga prodhime të jashtme është e domosdoshme lidhja e afërt e sektorit privat me publik”, shtoi Gjevori.