Mungesa e oksigjenit dhe e barnave, sfidë për sistemin shëndetësor

Prishtinë | 31 Dhj 2020 | 20:33 | Nga Ekonomia Online

Vitia dhe Klina ishin qytetet e para të cilat u përballën me personat e parë të infektuar me COVID-19. E mënyra se si institucionet do t’i trajtonin të infektuarit me këtë virus do t’i vinin në pah informatat e pakta që kishte stafi shëndetësor dhe kushtet me të cilat ballafaqohej.

Për shkak që stafi shëndetësor dhe institucionet ishin të papërgatitura, Ministria e Shëndetësisë vendosi që Qendrën e Studentëve ta kthejë në qendër të karantinës, ku të gjithë personat që hynin në Kosovë nga shtete të tjera detyroheshin të izoloheshin për dy javë.

Për ta lehtësuar punën në klinikat e QKUK-së, komiteti i SHSKUK-së vendosi që nga muaji prill edhe në spitale rajonale të trajtohen pacientët e dyshuar e të infektuar me këtë virus.

Por, qytetarët patën edhe ankesa të shumta drejtuar stafit e institucioneve shëndetësore. Çmimet e larta të barnave që përdorën për trajtimin e kësaj sëmundjeje, e që institucionet shëndetësore publike nuk ishin në gjendje t’i siguronin, i detyruan qytetarët që të shpenzonin me mijëra euro. Por, veç mungesës së barnave, problem pati edhe me mungesat e oksigjenit.

Ky problem bëri që vetë familjarët e pacientëve të gjenin mënyra të tjera që të siguronin oksigjen, madje edhe në kompani të palicencuara nga institucionet.

Duke shpresuar që viti 2021 do jetë vit kur fokusi i institucioneve do të kthehet nga shëndetësia dhe ky sektor do të trajtohet më seriozisht, mjekët shpresojnë që edhe pandemia të fillojë të futet në binarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme