Mungesa e pecetave higjienike menstruale në vendet e punës e në institucione arsimore, po konsiderohet sfidë për gratë dhe vajzat në Kosovë. Në panelin e katërt në konferencën rajonale për higjienën menstruale, u diskutua për rolin që e kanë komunat në zbutjen e varfërisë menstruale, raporton Ekonomia Online.
Pjesëmarrësit në këtë panel, ndanë pikëpamjet e tyre sa i përket kësaj temë, ndërsa furnizimi me këtë material higjienikë, u tha se ka filluar nëpër disa komuna për gratë e vajzat.
Klea Muca, specialiste në Drejtorinë e Shëndetësisë në Tiranë, tha se në këtë qytet është duke bërë përpjekje për të zbutur këtë lloj varfërie, me strukturë mjekë e psikologë për t’i vetëdijesuar gratë dhe vajzat.
“Bashkia organizon po ashtu edhe seminare e fushata informuese në bashkëpunim me njësitë administrative, e sidomos në ato zona të varfër, edhe qendrat për mbështetje psikologjike të lidhura me këto fusha”, tha ajo.
Nënkryetari i Komunës së Obliqit, Ibush Mjekiqi tha se institucionet arsimore e të tjera, janë furnizuar me material higjienik, iniciativë kjo e vetë Komunës.
“Është bërë furnizimi me material higjienikë, duke u shpërndarë në shkolla dhe institucione tjera. Unë e kam formuar një grup për të drejta gjinore, jemi në hapat e parë, kemi probleme por është mirëprit edhe prej drejtorëve të shkollave”, u shpreh ai.
Ndërkaq Teodora Mileska nga Maqedonia e Veriut tha se shumë njerëz në pozita të vendimmarrjes s’janë më dijeni për çështjen e varfërisë se menstruacioneve.
“Shumë njerëz në pozita të vendimmarrjes nuk janë në dijeni për çështjen e varfërisë se menstruacioneve, se kemi parë ende shpërndarjen nëpër shkolla, dhe është ia vlen te përmend qe kemi miratuar një strategji të re për rininë me zotime nga Qeveria për të përfshirë produkte menstruale për shkollat fillore dhe të mesme”, tha ajo.
E drejtoresha e shkollës fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, Shpresa Shala, tha se është e kotë të ketë vetëm peceta pa e pasur rregullimin e tualeteve. Tha se si institucion shkollor, kanë ofruar peceta higjienike falas.
“80 për qind e vajzave veç kanë deklaruar qe janë me cikël menstrual dhe jam befasuar se sa dinin për të, ndoshta edhe qasja në informata për vetëdijesim dhe shëndetin e tyre, në zyrën time, të psikologes vajzat mund te vinë edhe te marrin peceta higjienike”, u shpreh ajo.