Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, Isuf Makolli, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj imamëve të akuzuarve për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Idriz Bilibani, Enes Goga, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj si dhe Fuad Ramiqi.
Arsyeja e mungesës së gjykatësit Makolli, ka qenë pasi që sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, ai ka pasur një kontroll mjekësore në Shkup për ditën e sotme, pandaj nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancë.
Prokurori i rastit, Haki Gecaj, ka thënë se pajtohet që seanca të shtyhet dhe të mbahet një ditë kur trupi gjykues të jetë me përbërjen e njëjtë si gjithmonë.
Ndërsa, seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 14 maj 2018, nga ora 13:30.
Bazuar në aktakuzë, imami Bedri Robaj, që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve e ligjëratave private, e ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.
Imami tjetër, Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.
Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në “youtube”, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.
Sa i përket imamit, Mazllam Mazllami, ai akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBT.
Ndërkaq, Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.