Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSFC) kanë nderuar me Çmimin për Demokraci 2017 Murat Mehmetin, denoncues i një skeme të evazionit fiskal në ATK, dhe gazetën “Insajderi” për publikimin e një sërë hulumtimesh për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Patrick Etienne, drejtor i Zyrës Zvicerane për Kosovën, vlerësoi guximin dhe përkushtimin e fituesve të Çmimit për Demokraci, duke theksuar nevojën për një shoqëri civile demokratike.
“Zyra Zvicerane është duke mbështetur shumë procese reformuese, në sektorët siç janë punësimi, qeverisja nëpër komuna, uji dhe shëndeti dhe e dimë se rezultatet të cilat i kemi planifikuar me partnerët tanë, duke filluar me Qeverinë e Kosovës, nuk do të arrihen nëse performanca e institucioneve nuk përmirësohet më mënyrë serioze. Një shoqëri më aktive që shfrytëzon të drejtat dhe fuqitë demokratike mund ta detyrojë qeverinë të veprojë në mënyrë demokratike, transparente dhe gjithë përfshirës”, theksoi Etienne.
“Si donatorë të huaj nuk gjendemi këtu për të mbajtur leksione, mirëpo duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të mbajmë fjalime motivuese kundër korrupsionit dhe nga ana tjetër të mbështesim njerëz që demaskojnë në mënyrë sistematike ata që favorizojnë interesat e tyre private në dëm të interesit publik, ata të cilët janë përgjegjës për nivelin e ulët të investimeve vendore dhe atyre të huaja në vend dhe për perspektivat e pasigurta për të rinjtë që vazhdojnë të braktisin vendin”.
Venera Hajrullahu, drejtore Ekzekutive e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), tha se këta fitues të çmimit sot për të kryer punën e tyre, duke iu bërë ballë presioneve të ndryshme. Ajo theksoi se këto çmime duhet të jenë reflektuese çdo ditë.
“Çmimi për demokraci është momenti kulmor i projektit për shoqëri demokratike, sepse dëshirojmë të veçojmë diçka që shkon përtej jetës së përditshme”.
“Ndarja e këtij çmimi do të doja të jetë moment reflektimi për të gjithë ne”, shtoi Hajrullahu.
Murat Mehmeti, shef i njësitit të hetimeve në ATK, tha se misioni i tij në jetë është që të luftojë korrupsionin. Ai tregon se përpjekjet e kallëzuesve për të luftuar korrupsionin ndeshen ende me probleme.
“Për 17 vite kam punuar në zbatim të ligjit. Jam munduar të bëjë më të mirën e mundshme për këtë vend. Përpjekjet tona jo gjithmonë shkojnë paralelisht me instancat tona; shpeshherë ndeshemi me probleme të ndryshme. Do të bëjmë të mirën e mundshme edhe në të ardhmen”, u shpreh Mehmeti.
Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i portalit “Insajderi”, tha se synim i punës së tyre është kredibiliteti dhe u zotua të vazhdojnë me punë, pavarësisht presioneve nga jashtë.
“Për neve ky është çmimi më i rëndësishëm deri më tash sepse ka të bëjë me demokracinë”, theksoi Kajtazi.