Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ndihmat prej 100 eurot e ndara për secilin qytetarë mund të mos i zgjidhin shumë nevoja familjare, por do të ndihmonin ato. Këtë deklarim e bëri në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online.
Ai folir edhe për mundësinë e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, për të cilat tha se nuk do t’i ndihmonte familjet në nevojë. Madje sipas tij, “ato mund të pësojnë nga inflacioni për shkak të qarkullimit të kapitalit”.
“Franca ka ndarë nga 100 euro për familje, ani pse atje rroga e kalon 2-mijëshin”, deklaroi Murati të martën.
Sipas Muratit, rritja më e madhe e të hyrave është nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Ai foli edhe për ndarjet buxhetore. Sipas tij, kjo nënkupton që ka formatizim më të madh të ekonomisë në mbledhjen e taksave.
Ai tha se është shtuar edhe mbledhja e të hyrave nga tatimi në korporata.
“Kemi paraparë të bëjmë rishikim ashtu që të mund të adresojmë nevojat që parasheh situata. Kemi rishikim që është bërë vetëm në ministri në vlerë prej 155 milionë euro. Ndryshimi bëhet vetëm në një program në kategorinë subvencione dhe transfere. Rishikimi është për një periudhë të jashtëzakonshme. Andaj si të tillë kemi vlerësuar që nuk mund të japim vlerësim. Shuma prej 155 milionë euro parasheh të hyrat 66 milionë euro”.
“Kjo pako e re është për të lehtësuar sado pak barrën e qytetarit. 100 euro mund të mos zgjidhin probleme por kemi bërë ndihmesë. Si fond nuk ndihmon shumë prej familjeve në nevojë. Ne kemi vendosur që të ndërhyjmë për të cilat kemi marr lëvdata edhe nga partnerë ndërkombëtar. Na ka ra hise t’i zgjidhim problemet e qytetarëve që varen nga qeveria. Sa i përket asaj se a duhet të ulet akciza, mendoj që duhet shikuar në thelb. Problemi i çmimit është rritur se ka pak sasi të ofruar në treg. Rritja e të hyrave është te të hyrat direkte”, tha ai.
E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se mazhoranca mund ta shtyjë përpara projektligjin për rishikim të buxhetit, por që sipas tij, nuk i plotësojnë kushtet bazike të menaxhimit të financave publike.
Ai tha se me këtë Projektligj, mund t’i bëhet Qeverisë shkelja e pestë kushtetuese.
“Ky projektligj nuk i plotëson kushtet për menaxhimin e financave publike. Tash ju keni paraparë të hyrat 65 milionë euro. Nëse do shkonte normalisht bjxheti do të tejkalohet deficiti. Ju e rritni në 3.9 deficitin. Ligji për ndarje buxhetore është fundamental sepse po bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm brenda ligjit. Ju mund ta shtyni përpara këtë projektligj për rishikim të buxhetit. Por, nuk i plotësojnë kushtet bazike të menaxhimit të financave publike. Andaj, nëse e çoni në Kuvend mund të ju bëhet shkelja e pestë kushtetuese”, tha Hoti.
Kritika pati edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai tha se në kohën kur ka rritje të çmimeve, ndarjet buxhetore nuk mund ta ndihmojnë qytetarin.
“Ne kemi para vetes një rishikim të buxhetit 2022 pas katër muajve. Neve nuk na ka ardhur ligj për rishikimin e buxhetit pse duhet një buxhet të tillë dhe mendoni se mbuloni të gjitha sfidat krizën kur kemi rritje enorme të çmimeve me 155 milionë euro. Forma si është sjellë ky propozim është i gabuar. Së pari është dashtë rishikim pastaj të ndahen mjetet buxhetore. Po shohim mangësi në zbutjen e kësaj krize nga ana e qeverisë”, tha Lushtaku.