Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me zhvillimet e fundit politike rreth bisedimeve Kosovë – Serbi.
Murati ka thënë se Kosova duhet të bëhet shtet plotësisht funksional, pasi tha se papërgjegjshmëria e forcave politike, mund t’i thellojnë problemet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, raporton Ekonomia Online.
Ai edhe paraqiti dy zgjidhje që duhet të arrihen gjatë bisedimeve Kosovë-Serbi, një prej të cilëve ishte ripërcaktimi i kufijve mes dy shteteve.
Sipas Muratit, shqiptarët e Luginës duhet t’i bashkohen Kosovës, ashtu që edhe serbët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok duhet ta kenë të njëjtën të drejtë që t’i bashkohen Serbisë.
“Forcat politike parlamentare në Kosovë, si ato në Qeveri, ashtu edhe ato në opozitë, janë duke u treguar tejet të papërgjegjshme, duke mos e trajtuar me seriozitetin e duhur momentin historik nëpër të cilin po kalojmë për të zgjidhur problemin shekullor shqiptaro serb, përkatësisht atë të Kosovës me Serbinë”.
“Duke mos i trajtuar seriozisht këto bisedime, duke e shndërruar këtë çështje në betejë elektorale ndërpartiake, ka rrezik serioz që ky moment politik, me interes jetik për kombin, ose të na shkojë krejt huq, ose të na prodhojë ndonjë zgjidhje të dëmshme për vendin. Mundësia që shtetin ta bëjmë më funksional përmes ruajtjes së privilegjeve bllokuese të pakicës serbe në Kushtetutën e vendit”.
Ai ka thënë se Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se ky moment i ri politik duhet të shfrytëzohet për t’i shtruar drejt çështjet e mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton EO.
“Parimi i reciprocitetit do të duhej të qëndronte në themelet e zgjidhjes së këtyre çështjeve. LB konsideron se përfundimi kryesor i bisedimeve duhet të jetë bërja e Kosovës shtet plotësisht funksional, përmes forcimit të sovranitetit të tij. Që të bëhet Kosova vërtet shtet funksional, marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me: Ripërcaktim të kufijve mes Kosovës e Serbisë, duke u zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve”.
“Shqiptarët në Kosovën Lindore, Preshevës, Bujanocit, Medvegjë, kudo që janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën duhet t’i bashkohen Kosovës. Serbët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok duhet ta kenë të njëjtën të drejtë, aty ku janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale”.
“Duke respektuar këtë parim fshatrat shqiptare të Leposaviqit, Ceraja, Koshtova, Bistrica; të Zveçanit, Zhazha, Boletini, Kelmendi, si dhe Çabra në Zubin Potok duhet të mbesin pjesë e Kosovës. Gjithashtu pjesë e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të jetë pjesa veriore e Mitrovicës. Heqjen e privilegjeve bllokuese për pakicën serbe, të cilat i përmban kushtetuta e Kosovës”.
Ndërsa letrën e presidentit amerikan Donald Trupm, Murati e ka quajtur moment kyç për këtë proces.
“Përfshirja e ShBA-së në këtë nivel, konsiston edhe në mundësinë e re që të dilet nga kornizat e deritanishme, të ngurta, të bisedimeve dhe të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për problemin”.