Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Tatimin në Pronë.
Në një postim në Facebook, Murati ka thënë se tashmë u dëshmua se të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza.
Ai ka thënë se qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e “ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”.
“Të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar të mërkurën se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.