Dialogu me Serbinë ka bërë që të rrëzohen disa qeveri në vend dhe nuk është e habitshme që mund të ndodh edhe me Qeverinë e re në krye me Albin Kurtin, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
Por ai nuk beson që do të ketë zgjedhje në prill të vitit të ardhshëm në Kosovë, duke shtuar se duhet të zgjidhen problemet në procesin e dialogut.
“Dialogu deri tash ka rrëzuar disa qeveri. Mund ta rrëzojë edhe këtë dhe nuk është fare diçka e habitshme. Por shtrohet çështja pse të rrëzohet Qeveria, por të zgjidhen problemet. Më e lehta është të tërhiqen qeveritë, të kenë qëndrime populiste dhe pastaj të ndeshen me BE-në dhe ne të mbesim pa zgjidhje”.
“Thirrja ime është të merren seriozisht këto procese në mënyrë që t’i zgjidhim sepse nëse vazhdohet kështu po mund të kemi rënie të qeverive, ardhje të tjera. Me këtë mentalitet ne nuk mund të kemi ndryshme të figurave të kryeministrave dhe ministrave, por nuk kemi zgjidhje të probleme. Nuk besoj që do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe uroj të mos ketë sepse duhet të mësohemi që mandatet të përfundohen dhe të krijojmë një stabilitet institucional”.
“Çështja e bisedimeve mund të jetë një element presioni i madh të çfarëdo qeverie. Por nuk besoj në prill sepse deri në zgjedhjet e ardhshme në Serbi nuk do të ketë ndonjë lëvizje të madhe në dialog. Dialog intezeniv nuk do të ketë derisa të kryhen zgjedhjet në Serbi”.
Sipas tij, zgjedhjet në Francë kanë një rol të rëndësishëm në raport me liberalizimin e vizave në Kosovë.
“…zgjedhjet në Francë kanë një rol jo vetëm në raport me liberalizimin e vizave në Kosovë, por edhe rol në raport me dialogun. Me mbarimin e këtyre procese do të ketë dinamikë tjetër në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nga atëherë mund të flasim për një zgjidhje për marrëveshje. Deri atëherë nuk pres zgjedhje në vend”, tha Murati.