Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, e ka kritikuar Qeverinë Haradinaj, për numrin e madh të zëvendësministrave. E ka dhënë praktikën e tij nga mandati i kaluar, kur ka thënë se ishte vënë në siklet kur në ministrinë e tij ishte emëruar edhe zëvendësministri i dytë.
“Kur ka ardhur zëvendësministri i dytë në Ministrinë e Diasporës kam ra në hall. Çfarë t’i japë për të punuar. Nuk ka Ministri në Kosovë që ka nevojë për më shumë se dy zëvendësministra. Hajt po themi Ministritë e mëdha, si ajo e Jashtmja, e Arsimit e të tjera mund të kenë nga dy zëvendësministra, por të gjitha të tjerat duhet ta kenë vetëm nga një”, ka thënë Murati në “Interaktiv” të KTV-së.
Çështja tjetër, sipas tij, është që zëvendësministri duhet të jetë pjesë e zgjedhjes së vetë ministrit, e jo marrëveshje politike e direkt nga Kryeministri.
“Sepse vetëm të vijnë në zyre. E kujtoj se unë kam qenë jashtë vendit kur në një portal e kam parë që është emëruar zëvendësministri i dytë, e në vendim shkruhej se zgjedhja është bërë me pajtim të Ministrit. Zëvendësministri duhet të jetë i zgjedhur nga ministri, sepse përndryshe mund të jemi jo kompatibil qoftë në qasje, qoftë në program politik, e mos të harrojmë se duhet krijuar edhe besim i ndërsjellë”, ka thënë Murati.
Aktualisht Ministra e Diasporës, së cilës i është shtuar edhe “Investimet Strategjike”, ka për ministër Dardan Gashin me hiç më pak se 4 zëvendës. Në gjithë Qeverinë janë fiks 71 zëvendësministra.
Për Muratin ata jo vetëm që nuk kanë punë, por edhe janë barrë e madhe e buxhetit të shtetit.
“Ministritë janë të krijuara ashtu që shumicën e punëve t’i kryejnë shërbyesit civilë. Çka bëjnë drejtorët e Departamenteve e Divizioneve nëse në ato punë përzihen zëvendësministrat”, ka thënë Murati.
Në këtë vazhdë, Murati e ka quajtur arrogancë rritjen e pagës së vetë nga kryeministri aktual, Ramush Haradinaj.
“Edhe kjo rritja e pagës ishte nga një arrogancë në tjetrën. Ligjin për Qeverinë nuk e do askush sepse pastaj nuk do të mund të bëheshin këto gjëra. Aty do të mundë të precizohej numri i zëvendësministrave dhe mbase edhe i këshilltarëve. Kësisoj do të kishte logjikë edhe rritja e pagave”, ka thënë Murati.