Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës, ishte temë diskutimi në këtë mbledhje, ku partitë opozitare kërkuan sqarime për paratë që u dhanë për kompanitë KEK dhe KESCO.
Fillimisht, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kërkoi sqarime nga ministri Murati në lidhje me mjetet e ndara për subvencionim.
Por me këtë, ministri Murati tha se me ndarjet për subvencionim janë kryer bazuar në legjislacion.
“Konsideroj se jemi brenda afatit dhe e them se çdo vendim është i bazuar në ligj, dhe ne si MF çdo herë ndarjet i bëjmë bazuar në ligj dhe bazuar kërkesës për siguri”, tha ai.
Tutje, Murati tha se subvencionimi i Qeverisë për rrymën ka ndikuar që energjia elektrike të jetë më e lirë sesa në Shqipëri, duke sqaruar se janë alokuar 60 milionë euro.
“Nga 90 milionë euro sa është premtimi, tashmë janë alukuar 60 milionë”, ka thënë Murati gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
“Nëse e marrim Shqipërinë si rast konkret, kemi rastin ku është shtuar edhe atje blloku tarifor. Nëse i krahasojmë tarifat, tarifat nën 800 kwh kushton 6 cent, ndërsa në Shqipëri 12 cent”, tha Murati.
Abelard Tahiri deputet i PDK-së, tha se subvencionimi i Qeverisë dhe ngritja e çmimeve kanë qenë të paarsyeshme.
“Ngritja e çmimit ka qenë i paarsyeshëm dhe subvencionimi i qeverisë ka qenë poashtu i paarsyeshëm. Kur jemi takuar herën e fundit, na keni thënë se jeni pajtuar me metodologjinë për borxhin që Kosova mund ta ketë nga ZRrE”.
“Sa prej mjeteve janë lëshuar nga MF janë bërë për muajt janar e deri në prill. Ju si ministri a jeni njoftuar sesa është borxhi i Kosovës që e obligon KESCO për këta muajt”, tha Tahiri.
Një përplasje e vogël ka ndodhur ndërmjet deputetit të AAK-së, Pal Lekaj dhe deputetes së VV-së, Mimoza Kusari-Lila, pasi kjo e fundit tha se opozita pa të drejtë po e sulmon ministrin.
“Nëse jeni avokate e ministrit, tregoni, unë nuk ju pyeta juve por ministrin”, tha Lekaj, derisa Kusari-Lila ia ktheu se reagimi i saj kishte të bënte vetëm si anëtare e Komisionit.