Ndonëse pas shembjes së murit në veri, serbët kërkuan themelimin e Asociacionit me Shumicë Serbe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se këto dy çështje nuk janë aspak të ndërlidhura mes vete. Megjithëkëtë, ata thonë se Asociacioni do të krijohet shumë shpejt, porse ende nuk dihet një datë e saktë sa i përket finalizimit të tij.
Nga ana tjetër, përderisa përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë kërkuan që të punohet në krijimin e Asociacionit, opozita mbetet prapa asaj që Asociacioni është në dëm të Kosovës. Përfaqësues të subjekteve opozitare thonë se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje edhe në ditët në vijim. Ndërkohë, politologët konsiderojnë se nuk mund të ketë kthim mbrapa sa i përket marrëveshjes në fjalë.
Shefi i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se Prishtina duhet të shprehë interesim për Asociacionin, tash pas rrëzimit të murit në veri të Mitrovicës. “Shpresoj se pas gjithë këtyre ngjarjeve Prishtina të tregojë interesim për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar ai për “B92”.
Kurse, Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk do të shkojë larg, porse nuk dihet ende se kur do të përfundojë kjo çështje. “Asociacioni do të themelohet kur të përfundojë përpilimi i statutit. Nuk besoj se do të shkojë kohë e gjatë”, ka deklaruar Gecaj për “Zërin”. Ai më tej ka thënë se Asociacioni nuk ndërlidhet fare me çështjen e murit. “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ndërlidh themelimin e Asociacionit me çështjen e murit. Megjithatë, ne kemi obligim themelimin e Asociacionit në bazë të ligjit të vitit 2013 dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.