Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesën në Kuvendin e Kosovës, me anë të së cilës thërret në interpelancë kryeministrin Isa Mustafa, për situatën e krijuar në veri pas ndërtimit të murit nga autoritetet serbe.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, i cili tha se për këtë gjendje përgjegjëse kryesor është Qeveria, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se strukturat e dirigjuara nga Serbia kanë ndërmarr një iniciativë për thellimin e ndarjes së qytetit edhe ashtu të ndarë të Mitrovicës, përmes ndërtimit të një muri.
“Veriu i Kosovës tashmë e kemi parë që është një rajon nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe strukturave që kontrollohen nga Aleksandër Vuçiq, dhe kjo situatë prej qeverisë është thënë se do të ndryshohet përmes procesit të negociatave të Brukselit”, u shpreh Konjufca.
Ai ka shtuar se ndërtimi i murit në Mitrovicë nga Goran Rakiq dhe strukturat e kontrolluara nga Serbia janë epilogu real i negociatave të Brukselit.
“Ky është rezultati i negociatave me Serbinë, betonizimi, çimentimi dhe thellimi i ndarjes së Republikës së Kosovës dhe qytetit të Mitrovicës”, theksoi Konjufca.
Sipas tij, Serbia po aplikon një strategji shtesë të presionit përmes ndërtimit të këtij muri.
Konjufca e akuzoi ministren për Dialog, Edita Tahirin që sipas tij ajo negociatat i shiti si “negociata që hapin ura dhe ndërtojnë mure”.