Sulmuesi Vedat Muriqi shpreson që ndeshja e fundit kundër Azerbajxhanit, që luhet më 20 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të jetë ndeshje festive për përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Muriqi, 24-vjeçar, shpreson që Kosova ta sigurojë kalimin në plejof të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s që në ndeshjen në Maltë. Kundër Maltës, Kosova do të luajë më 17 nëntor, në kuadër të grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Muriqi të hënën (sot) do të grumbullohet me Kosovën, ndërsa vjen pas golit që shënoi të shtunën për skuadrën e tij Rizespor. Rizespori humbi nga Bashakshehiri me rezultatin 2:1 në kuadër të Superligës së Turqisë. Goli i shënuar të shtunën për sulmuesin shtatlartë ishte i treti këtë edicion. Tri gola ka shënuar deri tash edhe për Kosovën.
Të fundit që realizoi ishte ai në ndeshje kundër Maltës në Prishtinë, më 11 tetor. Kosova e pati fituar ndeshjen ndaj Maltës me rezultatin 3:1. Gol kundër Maltës shpreson të shënojë sërish.