Tenisti gjerman, Mischa Zverev, ka bërë befasinë më të madhe në turneun e sivjetmë Australian Open, pasi në të tetën e finales eliminoi numrin një në tenisin botëror, Andy Murray.
Zverev i cili aktualisht mban pozitën e 50-të në radhitjen e tenistëve më të mirë në botë, arriti të mposhtë finalistin e pesëfishtë të Australian Open me rezultatin 7:5, 5:7, 6:2, 6:4 në sete, në përballjen e cila u luajt në Rod Laver Arena në Melburn.
Në karrierën e tij sportive, tenisti gjerman asnjëherë nuk ka fituar ndonjë ATP turne, ndërkohë që në rrugëtimin e tij për trofeun australian, në çerekfinale ai do të përballet me fituesin e ndeshjes Federer – Nishikori.
Rikujtojmë se gjashtë herë kampioni i Australian Open, Novak Gjokoviç, ditë më parë përfundoi paraqitjen në turneun e parë Grand Slam të këtij viti, pasi u mposht në raundin e dytë nga tenisti i 117-të në botë, uzbeku Denis Istomin.
Kjo është hera e parë pas vitit 2002 që tenisti numër një dhe ai numër dy nuk arrijnë çerekfinalen e garës.