Murtezaj: S’mund të ketë marrëveshje për normalizim pa njohje

Prishtinë | 12 Nën 2022 | 08:25 | Nga Ekonomia Online

Valon Murtezaj, profesor i diplomacisë në Paris ka thënë se marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk mund të ketë pa njohje reciproke.

Murtezaj ka thënë të premten në “Interaktiv” të KTV-së se nëse njohja nuk është në çfarëdo dokumenti të një marrëveshjeje, atëherë ajo s’mund të quhet marrëveshje për normalizim.

“Ato që janë parë nuk janë finale, nuk janë 100 për qind të sigurta, por me rëndësi është që nëse, njohja nuk është në dokument, atëherë kjo nuk quhet marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, sepse marrëdhënie normale kanë dy shtete që njihen mes veti, jo vetëm shtetet që nuk luftojnë. Është ende herët që të themi duhet të pranohet apo refuzohet. Ajo çfarë duhet të bëjnë edhe Qeveria e Kosovës edhe ndërmjetësit është që të angazhohen në mënyrë intensive dhe të sinqertë për të ofruar dokument që e normalizon situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Murtezaj.

Sipas tij, pas Forumit për Paqe që po zhvillohet në Paris, procesi i dialogut do të ndryshojë.

“Pas këtij forumi ndahet një lloj epoke, procesi i dialogut do të jetë më ndryshe, në kuptimin që nuk mund të jetë më situatë e njëjtë. Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa qoftë për refuzimet qoftë për pranimet e planeve. Propozimet që vijnë nga dy shtetet lidere të Evropës, duhet të konsiderohet seriozisht”, është shprehur ai.

Ndërkaq, duke folur për çështjen e Asociacionit, Murtezaj ka thënë se nuk do të duhej të diskutohej si element i ndarë nga pjesët e tjera të një marrëveshjeje të përgjithshme.

Të ngjashme