Murtezaj: Viti 2017 do të jetë i mirë për Kosovën

Prishtinë | 02 Jan 2017 | 09:07 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka thënë se shtetësia e Kosovës ka shënuar progresin e vet, por sipas tij, urgjentisht, janë të nevojshme vendim-marrje dhe strategji komunikimi që japin rezultatet jetike për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebok, ai ka thënë se në vitin 2017, në vend të preferencave duhet vendosur për prioritetet e domosdoshme, ndërsa në vend të interesave personale duhet zgjedhur të adresohen interesat nacionale

Postimi i tij i plotë:

“Shtetësia e re e Kosovës ka shënuar progresin e vet.

Në mes të këtij suksesi, shtetësia e porsalindur, megjithatë ka sfidat e veta. Në këtë situatë, është e pamundur për të marr vlerësimin përfundimtar të saktë të vlerës së ndërtuar tanimë. Më reale është, fakti që në mënyrë të vazhdueshme jemi nën përshtypjen (legjitime) që duhet avancuar më shumë, që duhet ecur më shpejt.

Që kjo të ndodh, janë të kërkuara kristalizime të mëtejme, urgjente, mbi atë se cilën punë duhet kryer më përpara se tjetrën. Urgjentisht, janë të nevojshme vendim-marrje dhe strategji komunikimi që japin rezultatet jetike për Kosovën.

Një numër i madh i konflikteve brenda politikës, por edhe shoqërisë dhe kulturës tonë, kanë ardhur në pah, për shkak të pritjeve divergjente nga të gjitha palët e mundshme. Në radhë të parë, dhe lidhur me, pritjet se çka do të bëhet me ne, si në të ardhmen e afërt, poashtu në afatgjatë. Kjo mund të quhej normale.

Por, normaliteti prishet, kur konflikti shpërndahet në çdo ‘qelizë’, dhe kur kapaciteti për të zgjidhur këto konflikte bëhet i pamjaftueshëm.

Këtu nuk është fjala vetëm për kapacitetet individuale, apo të lidershipit, por kapaciteti si tërësi kontingjente, apo ‘potenciali në atmosferë’ i nevojshëm, ku secila dhe secili nga ne, do mund ta përdornim për të krijuar vlerë që zgjat, në vend të konfliktit që zgjat.

Në vitin 2017, në vend të preferencave duhet vendosur për prioritetet e domosdoshme. Në vend të interesave personale duhet zgjedhur të adresohen interesat nacionale. Ndryshe, nuk do mund të quhej vit i ri.

Por, megjithatë, më mban fort besimi i bazuar që viti 2017, do jetë vit i mirë për Kosovën.

Gëzuar”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme