Mushkolaj: LDK kishte plan ta rrëzonte Kurtin, Qeveria Hoti varet nga Thaçi dhe Lista Serbe

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Opinonisti i njohur, Imer Mushkolaj, ka thënë se mënyra se si është krijuar qeveria Kurti, se si është rrëzuar ajo qeveri dhe se si është krijuar tjetra na tregon në fakt shumë se si funkcionon politika në Kosovë.

“Unë vazhdoj të besoj se ajo zvarritja e arritjes së koalicionit mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, pas zgjedhjeve dhe para krijimit të Qeverisë nuk ishte e rastësishme. Loja me vota që erdhen nga Serbia të helmuara, etj, nuk ishte e rastësishme. Çka ndodhi me ato vota? Çka ndodhi me atë process? A na dha prokuroria ndonjë përgjigje se çka ka ndodh me ato vota. Pra, qysh atëherë në një farë forme u krijua situata për ardhjen e një momenti që qeveria Kurti të bie dhe të krijohet një qeveri e re, ashtu siç është krijuar. Pra, një qeveri e cila tash funkcionon me 60-61 deputetë për shkak se një nga deputetët është i dënuar dhe pritet të shkojë në vuajtje të dënimit”, është shprehur Mushkolaj në emisionin “PA MASKË”.

Ai ka thënë se kohëzgjatja e Qeverisë Hoti varët nga vullneti i presidentit Hashim Thaçi dhe i partnerëve të koalicionit, veçanërisht i Listës Srpska.

“Kohëzgjatja e qeverisë nuk varet nga dëshira e Avdullah Hotit dhe LDK-së për ta çuar tutje qeverisjen, por varet shumë nga qasja që do ta ketë presidenti Thaçi dhe partnerët që i ka në koalicion”, ka deklaruar Mushkolaj. 

Të ngjashme