Musliu: Për Drenicën, Kurti nuk dallon nga mendësia e ish-sistemeve komuniste

Prishtinë | 20 Jan 2023 | 22:18 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pasi që kryeministri Albin Kurti nuk e vizitoi Skenderajn, komuna më e prekur nga përmbytjet.

Kurti sot qëndroi vetëm në Istog, që relativisht ka kaluar më mirë nga vërshimet në krahasim me Skenderajn dhe Mitrovicën, të dyja këto komuna që udhëhiqen nga PDK-ja.

Musliu, e cila vjen edhe vetë nga Drenica, thotë se Albin Kurti, gjatë gjithë jetës së tij këtë trevë e ka parë si të huaj.

“Gjatë fushatës na e mbushi sheshin me forca speciale me të vetmin qëllim, transmetimin e një imazhi të keq për këtë trevë e për këta qytetarë. Tani, kur vërshimet e përfshinë pothuajse të gjithë territorin e Komunës, Albini si Kryeministër nuk e thotë dot as edhe një fjalë, nuk transmeton as edhe një mesazh. Pse? Për të vetmen arsye, sepse mendësia e tij nuk dallon nga mendësia e ish sistemeve komuniste. Turp për ty Albin Kurti”, ka shkruar Musliu në Facebookun e saj.

POSTIMI I PLOTË:

Drenica e bashkuar dhe e fortë

Drenica po e përjeton një situatë shumë të rëndë. Vërshimet shkaktuan shumë dëmë materiale, por me devotshmëri jemi edhe të lumtur që nuk kemi humbje në njerëz.

23 vjet pas lufte, Drenica është braktisur nga qeveria dhe nga institucionet e vendit. Kjo qasje na e sjell ndërmend të kaluarën; Diferencimet, anashkalimet, dhe ofendimet si trevë dhe si qytetarë të kësaj treve heroike dhe shumë fisnike.

Albin Kurti, gjatë gjithë jetës së tij (si i rritur) këtë trevë e ka parë si të huaj. Gjatë fushatës na e mbushi sheshin me forca speciale me të vetmin qëllim, transmetimin e një imazhi të keq për këtë trevë e për këta qytetarë.

Tani, kur vërshimet e përfshinë pothuajse të gjithë territorin e Komunës, Albini si Kryeministër nuk e thotë dot as edhe një fjalë, nuk transmeton as edhe një mesazh. Pse? Për të vetmën arsye, sepse mendësia e tij nuk dallon nga mendësia e ish sistemeve komuniste. Turp për ty Albin Kurti.

Mbaje mend Albin Kurti se Drenica si me solidaritetin tënd si pa të, si me përgjegjësinë tënde si pa të, si me obligimin tënd si pa të, do të ngrihet edhe më e fortë, njejtë siç e ka dëshmuar përgjatë gjithë historisë. Ne i përballojmë sfidat me shumë dinjitet, por nuk i tolerojmë dhe nuk i harrojmë kurrë paragjykimet dhe ofendimet, aq më pak kur këto na bëhën të orkestruara nga sistemi shtetëror.

Të ngjashme