Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se deklarimi i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli se “Albin Kurti do ta sjellë Serbinë në Kosovë”, ka ndodhur, pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për të njohur pasaportat ilegale të Serbisë që i lëshon për serbët e Kosovës.
Sipas saj, kjo Qeveri duhet të ndalet me çdokush, pasi sipas saj dëmet janë çdo ditë e më të pariparueshme.
“Fraza e kryetarit Kadri Veseli, thënë në parlamentin e Kosovës se “Albin Kurti do ta sjellë Serbinë në Kosovë” nuk është më veç një parashikim fatkeq për shkak të njohjeve të Veselit. Me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të njohur pasaportat ilegale të Serbisë që i lëshon për serbët e Kosovës, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, tashmë kemi të bëjmë me një fakt. Qeveria e Kosovës, me politika anti-kombëtare dhe mungesë të skajshme kompetence ka mundësuar, thënë edhe nga vetë ata, ‘ndërhyrje në sovranitet të shtetit’. Nuk ka më kohë, kjo qeveri duhet të ndalet me çdokush. Dëmet janë çdo ditë e më të pariparueshme”, ka shkruar ajo.