Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim veteranin luftëtar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Gjatë takimit miqësor, kryeministri Mustafa dhe z. Harrison biseduan për progresin e arritur në Kosovë viteve të fundit, zhvillimin e shtetit, progresin në ekonomi, hapjen e perspektivës për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin që Harrison ka dhënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke qenë një luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës.
“Kosova dhe populli i saj i janë përjetë mirënjohës dhe respektojnë luftën e sakrificën e çdo luftëtari, kontributin e shteteve mike perëndimore e më gjerë si dhe angazhimin vullnetar të luftëtarëve siç është Jon Harrison, i cili luftoi me tërë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke e vlerësuar vendimin për emërimin e nesërm të një rruge në Prizren, me emrin e luftëtarit të dalluar, Jon Harrison.
Luftëtari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, gjatë takimit, shprehu lidhjen e posaçme emocionale dhe reale që ka me popullin dhe me shtetin e Kosovës.
Harrison, po ashtu, e përgëzoi kryeministrin Mustafa për lidershipin dhe për progresin që po arrihet në Kosovë në këtë fazë.
Luftëtari Jon Harrison, shprehu përkushtimin e tij për të kontribuar për ecjen e Kosovës përpara.