Në përvjetorin e 18-të të vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku, kryetari i LDK-së njëherësh dhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa, me anëtarët e Kryesisë së LDK-së kanë bërë homazhe tek monumenti i Enver Malokut në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Mustafa kërkoi që krimet dhe vrasjet të cilat janë bërë gjatë asaj periudhe të zbardhen dhe të gjithë ata që i kanë bërë të dalin para drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
“Drejtësia të reflektojë sa më shpejt për të gjitha këto vrasje përfshirë edhe atë të Malokut”, tha Mustafa.
“Përkujtojmë veprën shumë të madhe të Enver Malokut, një veprimtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës. Njeriu i cili në errësirën më të madhe të informimit të depërtojë dhe dha kontributin e vet shumë të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Ne mendojmë se ai është prej figurave shumë të rëndësishme në Kosovë dhe jo vetëm LDK, sepse kontribuoj për lirinë dhe pavarësinë vendit”, ka theksuar Mustafa.
Ata që nuk e deshën lirinë dhe pavarësinë e vranë dhe është detyrë e jonë që për të gjithë ata veprimtarë që pësuan nga dora dikujt të përgjigjen para ligjit për këto vepra të zeza që ia bënë Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ai gjithashtu ka thënë se së bashku me prokurorinë do të mundohen që të zbardhin vrasjen e Malokut dhe shumë vrasjeve të tjera.
“Drejtësia është vonuar, por duhet të zbardhet. Jam i bindur se do të ndodhë”, ka thënë Mustafa.