Mustafa dyshon se serbët do të shantazhohen kundër aplikimit në Policinë e Kosovës

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka folur për konkursin që Policia e Kosovës ka hapur për zyrtarë policorë në veri.

Mustafa ka thënë se nuk është mirë që ish-zyrtarët policorë në veri të kthehen në Policinë e Kosovës.

Sipas tij, ata asnjëherë nuk kanë respektuar urdhrat nga Qeveria.

“Nuk është mirë që të jenë këta pjesëtarë në Policinë e Kosovës sepse këta asnjëherë nuk kanë qenë pjesëtarë që i kanë respektuar urdhrat nga Qeveria dhe në pjesën më të ndjeshme të sigurisë kanë qenë pjesë e sistemit të Serbisë nën petkun e Kosovës”, ka deklaruar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ish-ministri dyshon që do të ketë shantazhe që pjesëtarë të tjerë të mos aplikojnë në konkursin për zyrtarë policorë në veri të vendit.

“Dyshoj se do të ketë shantazhe që pjesëtarë të tjerë të mos aplikojnë në këtë konkurs. Nuk do të thotë se të gjithë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës janë kundër shtetit të Kosovës, por është një përqindje diku 30% që nuk duan të respektojnë rregullat dhe ligjet e Kosovës”, përfundoi Mustafa.

Të mërkurën Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, ka shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë sipas kushteve të parapara të konkurrimit. Ku sipas PK-së, ky konkurs është i hapur për të gjitha komunitetet.

Të ngjashme